Një nga reperët më të njohur të muzikës shqiptare, Ledri Vula, përveç sukseseve në muzikë, kohët e fundit është vënë në fokus të mediave edhe për lidhjen me vajzën e ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku, Adela. Çifti i të rinjve vijon ta mbajnë lidhjen në distancë, meqenëse Ledri në pjesën më të madhe të kohës është në udhëtim për shkak të koncerteve në vende të ndryshme.
Aktualisht, reperi jeton në të njëjtën shtëpi me gjyshërit dhe prindërit e tij, megjithatë është në pritje të përfundimit të shtëpisë së tij të re. Po si shkon lidhja në distancë mes tij dhe Adelës, meqë, siç dihet, jetojnë ende në vende të ndryshme? Menaxheri i këngëtarit, njëkohësisht edhe një nga miqtë më të mirë të Ledrit, Faton Shoshi, rrëfen për “Bluetooth” se “Adela është shumë e sjellshme dhe e respekton shumë punën e Ledrit. Ajo nuk e pengon kurrë”. Megjithatë, gjatë javëve të fundit vajza nga Tirana, që ka rrëmbyer zemrën e reperit, është parë gjithmonë e më shpesh ta shoqërojë këngëtarin në koncertet e tij. Sipas menaxherit, “Adela edhe kur vjen në festat e Ledrit, qëndron me shoqërinë e saj, si gjithë të tjerët”. Kjo duket se i ka lënë përshtypje pozitive artistit, pasi siç tregon Fatoni, “për këtë arsye Ledri e respekton shumë”. Megjithatë, prania e Adelës në thuajse të gjitha koncertet e tij, ka zgjuar dyshimet se arsyeja e vetme e saj është xhelozia. Në fakt, siç tregon menaxheri, nuk është aspak kështu: “Adela nuk është xheloze, ajo është shumë e kuptueshme dhe di ta respektojë profesionin e Ledrit”.
Mësohet se në këtë prag festash, Ledri dhe e dashura e tij nuk do të festojnë bashkë. Edhe pse reperi do të jetë në Tiranë, menjëherë pas performancës në një nga club-et më të njohura të kryeqytetit, ai do të udhëtojë drejt Zvicrës, ku do të mbajë një koncert tjetër. Adela nuk do ta shoqërojë, megjithatë, edhe nëse diçka e tillë ndodh, Fatoni shpjegon se “zakonisht, ajo vjen me shoqërinë e saj”. “Ledri e kalon Vitin e Ri me mua, si gjithmonë”, – përfundon Fatoni, teksa zbulon gjithashtu se këngëtari më 20 dhjetor publikon videoklipin e tij të ri që mban titullin “SNMN” (Sun rrin me neve). |