Clik here to view.

TIRANE- Këtë të diel Flori Mumajesin do ta shohim në skenën e “E diela Shqiptare”, ku do të prezantojë këngën e tij të re, konkurruese në festivalin “Kënga Magjike”. Lajmin e ka konfirmuar vetë Flori, i cili zbuloi gjithashtu që edhe Klajdi Haruni do të konkurrojë në këtë festival. Megjithatë, në një intervistë të shkurtër për “Bluetooth”, artisti na rrëfen edhe disa detaje të tjera, përfshirë arsyen që e ka rikthyer në skenën e këtij festivali. Kënga e Florit është titulluar “Me fjalë të vogla” dhe është prodhim i Threedots.
Në lidhje me të, artisti është shprehur se, “Thjesht më ka buruar një këngë, e cila është shumë unë. Stili është sekondar për mua”. Kantautori i famshëm Flori Mumajesi na zbulon edhe pritshmëritë e tij, marrëdhëniet me kolegët dhe mendimin për ndershmërinë e votimit të tyre.
Pse u riktheve tek Kënga Magjike?
U riktheva për atë kontakt ndryshe që kam me dëgjuesit e muzikës, gjithashtu edhe për dashamirësit e muzikës time të cilët shpesh herë kanë shprehur dëshirën se duan të më shohim si dikur në festivalin Kënga Magjike.
Kënga është baladë, apo ritmike?
I ka të dyja nga pak, thjesht më ka buruar një këngë, e cila është shumë unë. Stili është sekondar për mua.
Pretendon fitoren?
Do jem i fituar nëse kënga shijohet dhe pëlqehet, nëse jo, nuk kam çfarë i dua trofetë, se nuk jam tip koleksionist.
Meqë votimi është mes kolegësh, beson se do të jenë korrekt dhe të ndershëm në gjykimin e këngëve?
Të jetë si të jetë, nuk kam asnjë problem as me veten e as me kolegët. Nuk kam asnjë kompleks për asgjë. Kështu personalisht jam shumë i qetë.