Image may be NSFW.
Clik here to view.
E njohim që nga ‘’Ethet’’, një vokal potent që akoma vazhdon të shkëlqejë. Ndonëse me pak projekte, ajo qëndron fuqishëm në skenë, nuk harrohet. Teuta Kurti, tashmë si një profesoreshë e pianos dhe solokëndimit në Prishtinë, duke mos lënë anash muzikën, pas një pauze të gjatë rikthehet në Festivalin e madh të fundvitit. Në këtë bisedë për ‘’Panorama plus’’ këngëtarja e njohur flet mbi familjen, suksesin e një martese, reduktimin e daljeve dhe shumë gjëra të tjera, shembull se si një femër mund të shkëlqejë në skenë e në jetën private.
Po rikthehesh në skena gjigante, pse ky vendim i Teutës?
Kam marrë ftesë tash e sa vite, dhe këtë vit po ashtu, dhe ishte koha e duhur të rikthehesha.
Çfarë ka ndikuar që vendose të shfaqesh në Festivalin e fundvitit?
Nuk ka ndikuar asgjë, thjesht ftesa e kompozitorit dhe pauza e gjatë që bëra më shtyu të marr pjesë.
Ke pasur disa paraqitje, nuk je zhgënjyer nga vendimi i jurisë?
Po jam zhgënjyer, e pranoj. Sepse gjithmonë kam dalë me vota thuajse e fundit, por kjo është jeta e artistit të mirëfilltë, jo gjithë karriera duhet të shkojë me fitore.
Ku ke qenë deri më tani, çfarë ke punuar, me çfarë projektesh je marrë?
Për momentin jam e angazhuar me punë si profesoreshë e pianos dhe solokëndimit, gjithashtu jam në pregatitje të një projekti të ri.
Të bezdis vëmendja mediatike që shfaqesh shumë pak?
Aspak, sepse unë jetoj për vete, nuk jam e kompleksuar të varem nga mediat dhe të ushqehem ashtu. Është fakt që ne duhet të jemi prezentë, por jo aq sa të harrosh të jetosh, thjesht krejt vetëm e vetëm për TV, jam e lumtur që nuk i përkas asaj natyre të artistëve.
Tani, a mund të mbash afër komunikimin me fansa, bashkëpunëtorë?
Sigurisht që vazhdoj të mbaj kontakte dhe bashkëpunëtorë, nuk diskutohet.
Bëhet xheloz Dardani?
Jo, normal që nuk xhelozon kur vjen puna te profesioni im, sepse vetë është artist, dizajner grafik, dhe ka punë me artistë e këngëtarë më shumë se unë.
Tani që vajza është rritur, keni menduar për një fëmijë të dytë?
Deri në kismet, akoma nuk e kemi menduar.
Me çfarë kompozimi do prezantohesh, i ke parë konkurrentët, ke frikë nga ndonjë?
Me këngë, muzikë dhe orkestrim e tekst të Sokol Marsit. Nuk i frikësohem askujt, thjesht dua të dal sa më mirë, vetëm vetes ia kam frikën. Sipas teje, po nuk fitove ti, kush mund ta marrë çmimin e madh? Nuk e di, nuk dihet deri në minutën e fundit.
Do doje ta përsëritje suksesin e Ronës?
Sigurisht që po, nuk diskutohet. Dikur ju të tria ishit hit, tani si qëndrojnë raportet mes teje, Ronës dhe Vesës? Shumë mirë vazhdojnë kontaktet, dalim për kafe, jemi mike shumë të mira.
Mund t’ju shohim në të ardhmen bashkë në ndonjë projekt?
Po, pse jo.
Tani që thuhet se muzika ka “degjeneruar”, çfarë bëjnë artistët e vërtetë që ta mbajnë gjallë atë?
Artistët e vërtetë luftojnë me çdo kusht të mbajnë muzikën e mirëfilltë, sepse në ditët e sotme mundemi me e quajt si të duam, vetëm muzikë nuk është kjo që po shihet.